CT-RM

CT-RM

Tomografia e Kompjuterizuar dhe Rezonanca Magnetike

Pjesë e Departamentit të Imazherisë është edhe Shërbimi i të ashtuquajturave ekzaminime të sofistikuara. Në këto ekzaminime bëjnë pjesë Tomografia e kompjuterizuar (CT-Scaner), ose Tomografia aksiale e kompjuterizuar (TAK), si dhe Rezonanca Magnetike (RM). Të dyja përbëjnë teknika diagnostikuese perfekte që përdoren për të marrë imazhe të detajuara të strukturës së brendëshme të trupit dhe në mënyrë të thjeshtuar përdoren me terminologjinë Skanimi CTçRM. Për informacionin e rëndësishëm morfologjik të dyja modalitetet krahasohen rëndom në mënyrë metaforike si autopsi te i gjalli.

Që nga fillimet eksperimentale deri në krijimin e një rutine diagnostike thelbësore përgjatë viteve ‘70, skanimi CT ka dëshmuar të jetë një teknikë imazherike e gjithanshme. Në fund të kësaj dekade, në vitin 1979 iu dha bashkërisht çmimi Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi fizikanit afro-amerikan Allan MacLeod Cormack e inxhinierit elektrik britanik Godfrey Hounsfield.

Përdorimi i skanimeve CT është bërë një mjet i rëndësishëm në imazhet mjekësore dhe është rritur në mënyrë drastike në shumë vende.

Indikacionet kryesore të Skanimi CT:

Skanimi CT i kokës zakonisht përdoret për të zbuluar infarktin, tumoret, hemorragjinë dhe traumat. Proçedurat intervencionuese gjejnë përdorim në kirurgjinë stereotaktike dhe radiokirurgjinë e drejtuar me CT për trajtimin e tumoreve intrakraniale, keqformimeve arteriovenoze dhe kushteve të tjera të trajtueshme kirurgjikale. Në regjionin e qafës, CT me kontrast është përgjithësisht studimi i zgjedhur për masat cervicale. CT e tiroides luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin e kancerit dhe të anomalive të tiroides. Në regjionet e mësipërme përfshihet gjithashtu angio-skaneri artero-venoz, kryesisht për eksplorimin e stenozave, aterosklerozes, trombozave, aneurizmave, anomalive vaskulare etj.

Skanimi CT i kavitetit torakal mund të përdoret për preçizimin e ndryshimeve akute dhe kronike të indit pulmonar. Për vlerësimin e proceseve kronike intersticiale si emfizema dhe fibroza, bronkektazia përdoret protokolli i veçantë i ekzaminimit HR me seksione të holla. Diferencimi i formave të infiltrimit ka shpesh herë rëndësi të vecantë në diagnosticën e patologjive pulmonare;mjafton të përmendim këtu densifikimin “ground-glass” karakteristik për infiltrimin intersticial të infeksionit viral, si në rastin e Covidit-19.

Angiografia-CT e arterieve pulmonare realizon evidencën e angiogramit specifik për diagnostikimin e trombo-embolisë pulmonare (TEP). Skanimi CT i zemrës kryhet për të marrë njohuri rreth anatomisë kardiake dhe për të zbuluar, diagnostikuar ose ndjekur sëmundjet e arterieve koronare. CT realizon procedurë jo-invazive të shpejtë dhe të thjeshtë me imazhe që japin informacione diagnostikuese vendimtare përfshirë Calcium Score dhe CT Angiografinë Koronare.

Tomografia e kompjuterizuar e abdomenit dhe pelvisit është një aplikim i ndjeshëm për diagnostikimin e sëmundjeve abdominale: Stadifikimin dhe ndjekjen në dinamikë të llojeve të ndryshme të kancerit; vlerësimin e abdomenit akut; si dhe kontrollin e patologjive te tilla si gurët në veshka, apendiciti, pankreatiti, divertikuliti, aneurizmi i aortës abdominale dhe obstruksioni i zorrëve. CT është gjithashtu ekzaminim i zgjedhur për zbulimin e dëmtimeve viscerale post traumatike.

CT përdoret shpesh për vlerësimin imazherik shumplanësh të frakturave komplekse. Frakturat, rupturat, luksasionet mund të dallohen më mirë në ekzaminime me prerje 0.2 mm.

Skanimi RM është teknikë diagnostikuese që jep informacion imazherik mbi anatominë dhe fiziologjinë e trupit. Skanerët MRI përdorin fushë magnetike të fuqishme dhe kompjuter për përpunimin dixhital. Reagimi indor inicion procesin e gjenerimit të imazheve. Ndryshe nga skanimet CT, teknika e RM nuk përfshin rrezet X ose lloj tjeter rrezatimi jonizues. Gjithashtu përbën ekzaminim mjekësor jo invaziv e të padhimbshëm. MRI përdoret gjerësisht në spitale dhe klinika për diagnostikimin mjekësor, skedimin dhe ndjekjen e sëmundjeve.

Rezulton si metoda imazherike me rezolucionin më të lartë dhe si e tillë ekzaminimi më i ndjeshëm në mazherinë e kokës veçanërisht trurit. Gjithashtu është zgjidhja më e mirë për ekzaminimin e artikulacioneve (gjuri, shpatulla, kyçi i dorës, këmbës etj), shtyllës kurrizore, kryesisht për diskopati, si dhe e indeve të buta të ekstremiteteve.

Përfitimet e skanimit RM

  • Jo-invazive; – pa radiacion jonik
  • E pazëvendësueshme për funksionin e shumë patologjive të trurit
  • Shmang pengesën e skeletit
  • Angio-RM pa nevojën e lëndës së kontrastit.
  • Metoda më e mirë për lezionet fokale të indeve të buta – mjet i pazëvendësueshëm për diagnostikimin e hershëm të tumoreve.
  • Metoda më vlefshme në diagnostikimin e patologjive të sistemit muskuloskeletal.
  • CP-RM – jo-invazive; pa kontrast
  • Alternativë e shpejtë, joinvazive për diagnostikimin e sistemit C-V
  • Lënda e kontrastit pak alergjike

Kufizimet e skanimit RM

  • Përdorimi qetësuesve
  • Kufizimi pajisjeve mjekësore metalike
  • Fibroza nefrogjenike nga injektimi i kontrasteve në pacientë me funksionim të dobët renal
  • Imazhet e cilësisë ë lartë – imobilizim te plotë – nderprerja e respiracionit
  • Obeziteti
  • Implantet metalike – artefakte
  • Kontrolli i mushkërive është i kufizuar
  • Rastet e renda
  • Shatzania
  • Zbulimi i kalciumit
  • Koha e gjatë e ekzaminimit

Krahasuar me CT, RM siguron rezolucion më të mire, kryesisht në imazhet e indeve të buta, p.sh. në tru ose bark. Megjithatë, perceptohet si ekzaminim i mundimshëm dhe jo-komod për pacientët. Koha e ekzaminimit është ezgjatur për shkak të përpunimit të ndërlikuar dixhital. Gjithashtu përbën procedure të zhurmshme me subjektin në një tub të gjatë dhe të kufizuar. Për lehtësimin e këtyre kufizimeve kanë gjetur përdorim modelet e hapura. Po ashtu, implantet dhe metalet e tjera jo të lëvizshme në trup mund të përbëjnë rrezik dhe kundërindikacion për disa pacientë. Në rastet e kufizimeve ekstreme është skanimi CT që mund të përdoret si alternativë e Rezonancës Magnetike.

Për të realizuar skanimet CTçRM në shërbimin tonë ne vëmë në shfrytëzim aparatura super moderne. Pajisja 128-slice CT Scanner, që ne disponojmë,i takon teknikave të fundit të imazherisë dhe është më e mira në vend. Ajo krijon mundësinë e një skanimi shumë të shpejtë duke reduktuar nevojën e pacientit për të mbajtur frymën dhe duke ulur në 60 % dozën e rrezatimit. Aparatura mundëson pamje shumë të detajuara me rezolucion dhe cilësi të lartë edhe për strukturaë imta. Këto veçori japin përparësi veçanërisht për rastet e traumave, moshat e treta dhe ato pediatrike. Teknologjia është e automatizuar dhe pozicionimi pacientit komod.

Përparësitë që ofron kjo pajisje mund t’i përmbldhim si më poshtë

  • Rezolucion më i mirë kohor
  • Rritja e fuqisë së tubit
  • Mbulimi i volumit kardiak me vetëm një rrahje të zemrës
  • Programi X-CARE zvogëlon deri në 40% ekspozimin direkt ndaj rrezeve X në sektorë delikatë të trupit pa kompromentuar cilësinë e imazhit përmes skanimeve të pjesshme
  • Programi IMAR redukton ndjeshëm artefaktet e protezave metalike pa rritur dozën e rrezatimit
  • Hapësira e pacientit (diametri i Gantry-it – 70 cm) dhe kapaciteti i peshës (mbi 200kg) pëfaqsojnë vlerat maksimale që mundësohen në sistemet konvencionale CT për ekzaminime të rutinës mjeksore

Aparati i ri i Rezonancës Magnetike i takon gjeneratës së fundit. Në kuadër të reduktimit të diskomfortit ai mundëson reduktimin e presionit të zhurmës deri në masën 97 %, ndërsa me softëare-in modern realizon edhe ekzaminime me frymëmarrje të lirë. Nga ana tjetër thjeshtimi i protokolleve ka çuar në zvogëlimin sinjifikativ të kohës së ekzaminimit. Kështu në 75 % të regjioneve të trupit  mund të kryhen ekzaminime me kohë 10-minutëshe. Avantazh të rezolucionit përbëjnë edhe programet që shmangin në masë të konsiderushme artefaktet e motilitetit dhe rrisin mprehtësinë e imazheve përgjithsisht “të turbullta”

Aktiviteti ynë ka në bazë punën në ekip të një stafi multidisiplinar të përbërë me teknikët radiografë, dhe mjekët imazheristë diagnostikues e në raste të veçanta edhe ata intervencionistë. Pjesë e rëndësishme e ekipit mjeksor janë edhe specialistët reanimatorë-anestezistë dhe infermierët, që zgjidhin realizimin e kontrastimit intravenoz dhe emergjencat e mundshme, të lidhura kryesisht me reaksionet alergjike të lëndës së kontrastit. Baza e konsoliduar tekniko-profesionale është garanci suksesi.

Sfidë e rëndësishme e shërbimit imazherik të Klinikës Ortodokse është që në bashkëpunim me specialistë kardiologë të vëmë në shfrytëzim mundësitë që të ofron teknika e Rezonancës Magnetike për të realizuar ekzaminimet kardiake, që përbëjnë një stad diagnostik prestigjoz të Mjeksisë bahkëkohore.